Riintegrimi i personave të riatdhesuar, kusht për liberalizimin e vizave
Prishtinë, 10 shtator - Forumi për Iniciativa Qytetare - FIQ dhe Instituti për Politika Zhvillimore - INDEP, organizuan tryezë, me çrast u bë edhe publikimi i analizës së politikave, i titulluar Kthimi në atdhe - Politikat e integrimit socio-ekonomik të personave të riatdhesuar, e që u përcoll me një interesim të lartë nga institucionet vendore, ato ndërkombëtare, drejtues të institucioneve akademike, shoqëria civile dhe të tjerë.
Studimet serioze akademike gjykojnë, se rikthimi i detyruar i qytetarëve kosovarë prej vendeve të BE-së do ti kontribuojë më shumë nivelit të varfërisë, do të shtojë radhët e të papunëve, sesa realizimit të ëndrrës Kosovare për një liberalizim vizash.
FIQ dhe INDEP besojnë se, Kosovës i duhet emigrimi i ligjshëm edhe për do kohë; vendit i duhet një strategji e mirëfilltë gjithëpërfshirëse, ku të përcaktohet vizioni i qartë i integrimit të migrantëve të kthyer në zbatim të marrëveshjes së ripranimit dhe riintegrimit të nënshkruar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe disa prej vendeve të BE-së.
Kosovës nuk i duhen veprimet ad hoc për të ndryshuar vendimet në fuqi, por i nevojitet një cikël i hapur vendim-marrje, pasi si i tillë çdo vendim për rikthimin me detyrim apo me vullnet të qytetarëve emigrantë afekton jetën e pothuajse 200 mijë qytetarëve kosovarë që mendohet, se jetojnë në vendet e BE-së. Kosovës i duhen statistika, një modul për migracionin, i cili duhet ti bashkangjitet çdo dokumenti, apo pyetësori që do të vlerësonte standartet minimale të jetesës në vend.
Institucionet kosovare duhet të jenë tejet të ndërgjegjshme, që kur negociojnë marrëveshjet e ardhshme të ripranimit të të kthyerve, ata kontribuojnë drejtpërdrejtë në rritjen e varfërisë, dhe të papunësisë që aktualisht mendohet të jetë rreth 40%.
Negociatat për këto marrëveshje duhet të marrin në konsideratë kapacitetet institucionale qendrore dhe lokale për të zbatuar planin aktual të riintegrimit të të kthyerve aktualë, në mënyrë që marrëveshjet e ripranimit të mos shndërrohen në bumerang social, duke rritur në vend numrin e të papunëve (statistikat institucionale citojnë, se aktualisht janë të rregjistruar rreth 300.000 të papunë, pa marrë në konsideratë ekonominë informale).
Janë këto disa prej çështjeve që u diskutuan në tryezën e sotme për Politikat e integrimit socio-ekonomik të personave të riatdhesuar në Kosovë