Rifunksionalizohet Paneli për Lirim me Kusht
Prishtinë, 22 mars - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, gjatë një takimi që zhvilloi sot me Silvio Bonfigli, shef i komponentës së Drejtësisë së EULEX-it, Anu Melkko, zëvendësdrejtor i Njësisë Korrektuese të EULEX-it, me avokatin e popullit, Sami Kurteshi, drejtorin ekzekutiv të KMDLNJ-së, Behxhet Shala dhe Elmaze Fazliu, kryesuese e një dhome të Panelit për Lirim me Kusht, ka marrë vendim për rifonksionalizimin e Panelit për Lirim me Kusht.
Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha së pas vendimit për rishikim të të gjitha vendimeve të Panelit për Lirim më Kusht, nga 16 tetor 2010, kur Ministria e Drejtësisë ka mbetur pa staf politik dhe rrjedhimisht pa Ministër, ka vendosur për rifunksionalizimin e këtij paneli. Sipas tij, pas raportit të ardhur nga Avokati i Popullit dhe KMDLNJ, për rishikimin e vendimeve, ka vendos për rifunksionalizim e këtij paneli, ku ky rifunksionalizim ka nevojë për një koordinim me të mirë në mes të Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit, Gjyqtarëve të EULEX-it dhe KMDLNJ-së.
Unë kam marrë vendim që gjyqtarët e EULEX-it, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe të KMDLNJ-së, të jenë pjesëmarrës dhe monitorues që nga procedura e fillimit deri të marrja e vendimit të panelit. Në veçanti kërkojë nga gjyqtarët që janë kompetent dhe përfaqësuesit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, që të kenë staf profesional, në procedurat që fillojnë nga kërkesat e të burgosurve deri të dërgimi i këtyre kërkesave të paneli. Natyrisht këtu duhet të jenë të përfshirë përfaqësuesi i Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Avokati i Popullit dhe KMDLNJ-ja, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, dhe shtoi se do ti respektojë në tërësi procedurat ligjore, transparencën, si dhe të drejtat e të burgosurve.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ai ka marr vendim që ti emërojë edhe dy kryesues të dhomave të Panelit për Lirim me Kusht, ku si kryesuese të dy dhomave janë emëruar gjyqtarja e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, Tonka Berisha dhe gjyqtarja e Gjykatës së Qarkut në Prizren, Edije Sezairi, ndërsa gjyqtarja e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Elmaze Fazliu, vazhdon të jetë kryesues e dhomës tjetër.
Në anën tjetër, Silvio Bonfigli, shef i komponentës së Drejtësisë së EULEX-it, tha së EULEX-i do të vazhdojë që në çdo formë të ndihmojë Panelin për Lirim me Kusht.
Me lejoni edhe një here të shpreh përkushtimin tonë lidhur me këtë çështje, ne kemi dy gjyqtarë që janë të ngarkuar përherë në Panelin për Lirim me Kusht, gjithashtu kemi edhe pesë gjyqtar tjerë që kanë mbikëqyrë punën e këtij paneli. Ne gjithashtu do të angazhohemi që të ndihmojmë në çdo mënyrë panelin, tha shefi i komponentës së Drejtësisë së EULEX-it.
Ndërsa, avokatit i popullit Sami Kurteshi, falënderoi ministrin Kuçi dhe institucionet tjera që janë të interesuar për transparencë dhe tha së Avokati i Popullit do bëjë përpjekje që edhe në të ardhmen të bëj monitorimin e Panelit për Lirim me Kusht, aq sa ju lejohet dhe aq sa kanë mundësi.
Edhe drejtori ekzekutiv i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, e vlerësoi veprimin e ministrit Kuçi, për krijimin e hapësirës për monitorimin e panelit dhe transparencën e paraqitur, që sipas tij, kjo transparencë deri më tani ka munguar.