Rifilluan punimet në lokacionin e varrezës masive në Rudnicë
Rudnicë, 7 gusht - Kanë rifilluar sot punimet vlerësuese në lokacionin numër tre të varrezës masive në Rudnicë , të komunës së Rashkës në Serbi, që ishin ndërprerë njëanshëm me 3 korrik nga pala serbe, me arsyetimin e mungesës së mjeteve financiare.
Krahas përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, rifillimin e punimeve është duke e përcjellë edhe Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, ekspertët në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Njësiti i Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve të Luftës, përfaqësuesit e EULEX-it , përfaqësuesit e Zyrës së Kombeve të Bashkuara, si dhe përfaqësues tjerë vendor e ndërkombëtar.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur angazhohet që puna në këtë lokacion të vazhdohet pa ndërprerë, deri në përfundim të verifikimit të plotë, sipas planit të hartuar më parë.