Rexhepi: S'kam lidhje me skandalin e pasaportave
Prishtinë, 30 maj - Ministri i Punve të Brendshëm, Bajram Rexhepi ka deklaruar se nuk ka lidhje me skandalin e pasaportave dhe në fund të hetimeve që po bëhen për këtë çështje, Rexhepi ka për të dalë i pastër.
Ai thekson se nuk është prokuror që të përshpejtojë procesin hetimor për këtë rast. Kuvendi i Kosovës nuk e ka harruar akoma rastin e zhdukjes së 1.4 milionë eurove të pasaportave biometrikë, i njohur si skandali i pasaportave.
Gjatë pyetjeve parlamentare deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Afrim Hoti ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi sqarim se çka ka ndodhur me paratë e zhdukura ndërsa njëkohësish i ka sugjeruar të jap dorëheqje.
Por, Rexhepi në përgjigjen e tij tha se ka bërë aq sa ka mandat duke aluduar në suspendimin e zyrtarëve të dyshuar të MPB-së për rastin. Ndërsa u shpreh i bindur se në fund të procesit gjyqësor për zhdukjen e milionave të dedikuara nga Qeveria për pasaportat biometrike të kosovarëve do të dalë i pastër.
Unë sjam hetues e as prokuror dhe smund ta përshpejtojë procesin gjyqësor dhe të hetimeve. Personalisht e them edhe publikisht dua të përfundojë ky proces sa më shpejtë. E kur procesi gjyqësor të përfundojë në fund të tij do të shihni se ministri ska fare të bëjë me këtë rast, tha Rexhepi sot gjatë seancës plenare.
E dyshuara kryesore për këtë rast është shtetasja gjermane Natalie Velija e cila ishte nënkontraktuese në mes të kompanisë austriake OeSD që kishte fituar tenderin për prodhimin e pasaportave dhe MPB-së. Të dyshuar tjerë janë edhe vëllezërit Fisnik dhe Betim Blakaj nga Istogu.