Rexhepi priti familjarët e policëve të rënë në detyrë
Prishtinë, 6 shtator - Me rastin e shënimit të 11- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi priti sot familjarët e policëve të rënë në detyrë.
Në këtë takim, ministri Rexhepi theksoi se në një ditë të këtillë, me respekt për veprat që lanë pas, i kujtojmë të gjithë ata që kanë rënë në krye të detyrës duke mbrojtur rendin, sigurinë publike, si dhe duke e luftuar krimin dhe dukuritë tjera negative në vend. Angazhimi i tij dhe menaxhmentit të Policisë së Kosovës, nuk do të ndalet deri në zbardhjen e secilit rast dhe vënien para organeve të drejtësisë, të të gjithë atyre kriminelëve që kanë shtënë në djemtë dhe vajzat më të mira të vendit, tha Rexhapi.
Ministri Rexhepi i informoi familjarët e policëve të rënë në detyrë lidhur me angazhimet për rregullimin me Ligj të statusit të familjeve të policëve të rënë në detyrë.
Po ashtu, me rastin e përvjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës dhe në prag të festës së Bajramit, Ministri Rexhepi ka ndarë nga buxheti i MPB-së një shumë simbolike financiare në përkrahje të familjeve të policëve të rënë në detyrë.