Rexhepi: Për veriun vlen vetëm Plani Ahtisaari
Prishtinë, 14 shtator - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se incidenti i fundjavës në veri të Mitrovicës, mund të ketë lidhje me bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështje të interesit të përbashkët. Por ai tha se për veriun vlen vetëm Plani Ahtisaari, dhe se nuk do të ketë bisedime për rregullim e brendshëm të Kosovës.
Ministri Rexhepi tha për BBC-në se kanë filluar hetimet për dhunën e shkaktuar në fundjavë në Mitrovicë, që la pas vetes të paktën 7 persona të lënduar, në mesin e të cilëve edhe një polic të EULEX-it dhe një vendas. Ai tha se njësitë e policisë nuk kanë përdorur forcën proporcionale ndaj shkaktarëve të trazirave të dhunshme të cilët ende, tha ai, nuk janë kapur.
Mekanizmat ndërkombëtarë, tha ministri, kanë premtuar arrestimin e shkaktarëve të dhunës, të cilët gjatë trazirave kanë përdorur edhe armë zjarri dhe kanë shtënë edhe nga snajperët. Rexhepi tha se përgjegjës për rendin dhe ligjin në këtë pjesë të Kosovës janë Policia vendore, EULEX-i dhe KFOR-i dhe theksoi se kushdo që i kundërvihet atyre do të marrë, siç tha, dënimin e merituar.
Të shtunën, pak para mesnatës, disa qindra serbë të mllefosur nga humbja e Serbisë në gjysmëfinalen e kampionatit botërorë të basketbollit, u mblodhën tek ura kryesore e lumit Ibër dhe gjuajtën me gurë shqiptarët që po festonin në anën tjetër të lumit. Edhe pse nuk kishte përleshje të drejtpërdrejtë, nga gjuajtja me gurë janë lënduar shtatë persona, ndërkohë që në pjesën veriore të qytetit janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.