Rexhepi: Pengesat në veri do të vazhdojnë me muaj dhe vite
Prishtinë, 27 prill - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në gusht të vitit 2010 kanë themeluar Forumin për Siguri (FS), i cili do të shërbej si platformë e diskutimit në mes organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve për çështjet e sigurisë në vend.
Sot është mbajtur konferenca e tretë e Forumit për Siguri në ambientet e Hotelit Grand në Prishtinë. Tema që u shtjellua në këtë konferencë ishte \" Zbatimi politik i ligjit në Kosovë \".
Fillimisht, Agim Musliu, anëtar i Grupit Këshillues të Forumit për Siguri ka prezantuar raportin vlerësues (një studim kualitativ), hartuar nga hulumtues të këtyre dy organizatave, i cili jep një vështrim mbi atë se zbatimi i ligjit në Kosovë është i ndikuar nga politika dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Bajram Rexhepi, ministër i MPB-së, edhe njëherë shprehu zëshëm pakënaqësinë rreth prezencës së UNMIK-ut, i cili më shumë luan rol pengues se sa lehtësues, si dhe po interferon në punën e EULEX-it.
Ndërsa, për EULEX-in tha se është mision teknik, por që merret vetëm me analiza politike dhe konkluzionet gjithmonë i ka të gabuara. EULEX nuk ka gatishmëri për të vepruar. Pengesat në veri do të vazhdojnë me muaj dhe vite, ka thënë ministri Rexhepi.
Problemet në veri, sipas tij, nuk janë pasojë e asaj se ka mungesë idesh e projektesh, por problemi qëndron tek zbatimi i tyre.
Nënkryetari i Mitrovicës, Riza Haziri ka thënë se EULEX-i ka fare pak bashkëpunim me Komunën dhe ata janë indiferent në zgjidhjen e problemeve. Ai ka kërkuar që Kosova ti jep fund mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Besnik Berisha, ka theksuar se në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal, duhet të parashihet si vepër penale organizimi i çfarëdo struktureje paralele ndaj shtetit.
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, ka thënë se kemi shumë strategji, plane veprimi e dokumente të tjera, por është fatkeqësi që vet shteti nuk i zbaton ato, si dhe mungon mbikqyrja e zbatimit të ligjit.
Ferdinand Nikolla, drejtor i FIQ-it, ka thënë se në vitin 2008 një grup i OJQ-ve patën kërkuar që Kuvendi të kërkoj llogari për punën e EULEX. Sot, pyetja nuk shtrohet se çka duhet të veprohet, por kush duhet të veproj, ka thënë ai.
Raporti poashtu jep një numër rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës, MPB-në, Policinë e Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Kuvendin e Kosovës, si dhe EULEX-in.
Disa nga të gjeturat e përmendura në raport janë:
- Ekzistimi i ligjeve të aplikueshme mundëson përdorimin e diskrecionit dhe subjektivitetit në zbatimin e ligjit;
- Vazhdimi i pranisë ndërkombëtare nën rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe mungesa e ri-konfigurimit të kësaj pranie për të qenë në përputhje me realitetin dhe rrethanat e krijuara pas shpalljes së pavarësisë është duke krijuar konfuzion, pakënaqësi dhe mosbesim në mesin e qytetarëve të Kosovës;
- Mungesa e një agjende të përbashkët për të ardhmen e Kosovës, si dhe mungesa e vullnetit politik për bashkërendim dhe bashkëpunim në mes të institucioneve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare për luftimin e krimit, korrupsionit dhe zbatimin e ligjit në Kosovë;
- Mos transferimi i kompetencave (në veri të Kosovës) nga faktori ndërkombëtar në Policinë e Kosovës, ka shkaktuar shkëputjen e zinxhirit unik komandues të policisë që bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës;
- Veprimi i strukturave ilegale serbe në tërë territorin e Kosovës, veçanërisht në veri dëshmon për progresin e kufizuar dhe mungesën e vullnetit politik dhe të vendosmërisë si nga ana e institucioneve të Kosovës, ashtu edhe të atyre ndërkombëtare për të ofruar siguri, rend dhe ligj për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh vendbanimin dhe përkatësinë etnike;
- Mosekzistimi i gjykatave të Kosovës në veri pamundëson veprimet e policisë në zbatimin e ligjit dhe pamundëson qasjen në drejtësi për qytetarët.