Rexhepi: Në Kosovë veprojnë deri në 400 policë të Serbisë
Prishtinë, 18 korrik - Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka konfirmuar edhe dështimin e shtetit në veri të Kosovës.
Asnjëherë nuk e kam mohuar se në veri ka prani të strukturave ilegale prej 300 deri në 400, varësisht nga situata, ka thënë Rexhepi dje në një konferencë shtypi.
Ai ka konfirmuar raportimet e medieve serbe se në Kosovë veprojnë numër kaq i madh i Policëve të Serbisë, largimin nga Kosova të të cilëve sipas medieve të atjeshme e kanë kërkuar Gjermania dhe SHBA.
Duke u thirrur në burime jozyrtare, thuhet se policia serbe në veri të Kosovës ka të punësuar rreth 300-400 punëtorë, si dhe prej 1 000-2 000 shërbyes informativë.
Blic transmeton se zyrtari i lartë amerikan, Philip Gordon, ka shfrytëzuar rastin që gjatë vizitës në Beograd të kërkojë që forcat serbe të sigurisë të tërhiqen nga veriu i Kosovës.
Ministri Bajram Rexhepi ka thënë se strukturat e MUP-it janë ilegale dhe se do të arrestohen kurdo që të ketë mundësi ose do të depërtohen nga Kosova.
Realiteti është i tillë, ekzistojnë, por sa është numri i tyre nuk është i saktë... Unë nuk e kontestoj, por mund të jetë numër më i madh. Ata, kryesorët që veprojnë janë sjellë nganjëherë nga 200 deri në 400 pjesëtarë të MUP-it qoftë kosovarë që janë në strukturë të MUP-it apo që janë të ardhur nga Serbia, ka thënë ai.