Rexhepi kërkoi angazhim shtesë për menaxhimin e kufirit
Prishtinë, 28 prill - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt takimi i radhës i Bordit Ekzekutiv për Implementimin e Strategjisë së Menaxhimit të Integruar të Kufirit.
Në këtë takim të morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zyrtarë të lartë të MPB-së, përfaqësues nga Policia e Kosovës, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Doganës së Kosovës.
Ministri Rexhepi kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha agjensionet e përfshira në përmbushjen e objektivave që dalin nga Strategjia dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK) dhe paralajmëroi se në fund të këtij viti do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i implementimit të kësaj Strategjie.
Ai tha se para hartimit të Strategjisë së re për MIK, duhet të përmbushen objektivat që janë të parapara me Plan të Veprimit.
Fokusi duhet të përqendrohet në marrjen e përgjegjësive për sektorin e tretë të vijës së gjelbër me Maqedoninë, funksionalizimin e plotë të BMS-it dhe ndërmarrjen e operacioneve për parandalimin e fluksit të migruesve ilegalë, tha ministri Bajram Rexhepi.
Ministri Rexhepi kërkoi angazhim shtesë nga Policia, Dogana dhe AUV që të përgatitjen për menaxhimin e fluksit të madh të hyrje-daljeve gjatë sezonit të verës.
Valdet Gjinovci, Kryeshef Ekzekutiv i AUV, ndër sukseset e raportuara përmendi faktin se ka filluar faza e përzgjedhjes së kompanisë për krijimin e një softueri për grumbullimin e të gjitha të dhënave që hyjnë në AUV.
Gjinovci gjithashtu paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë në fushën e kontrollit të ushqimit me Autoritetin Kombëtar Shqiptar, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërsa, kolonel Shaban Guda, u.d Ndihmësdrejtor i Përgjithshëm për Kufi në Policinë e Kosovës, ka raportuar se zyrtarët e PK-së dhe ata të KFOR-it, janë në negocime për marrjen e përgjegjësisë së Vijës së Gjelbër nga ana e PK-së të kufirit me Malin e Zi, në faza të mëvonshme.
Ai theksoi se së shpejti do të fillojnë patrullat e përbashkëta me policinë Maqedonisë në Zonën e Gjelbërt, sipas protokollit të nënshkruar më herët dhe se po bëhen përgatitjet e duhura në këtë çështje.
Ndërsa Bajram Rexha, Drejtor i të Hyrave në Doganën e Kosovës, bëri të ditur se në kuadër të bashkëpunimit për MIK është iniciuar edhe krijimi i një data-bazë e cila infiltron kundërvajtjet doganore, veprat penale etj.
Në këtë takim, Samir Krasniqi, koordinator i MIK në Doganën e Kosovës, në emër të grupit punues për komunikim ndër-institucional ka prezantuar doracakun për komunikim i cili është dizajnuar në mënyrë specifike për MIK.
Ky doracak bën rregullimin, standardizimin dhe avancimin e komunikimit brenda agjencioneve të përfshira në MIK, me qëllim që të informojë publikun tha Krasniqi.
Takimi i ardhshëm i Bordit Ekzekutiv për Menaxhimin e Integruar të Kufirit pritet të mbahet në fund të muajit maj.