16 Maj 2024

Rexhepi: Forenzika shtylla kryesore e hetimit dhe zbulimit të krimit

Prizren, 12 gusht - Simpoziumi shkencor “Ditët e Shkencës së Forenzikës Kosovë-Turqi”, i cili është si rezultat i bashkëpunimit në mes Forenzikës së Policisë së Turqisë, Universitetit të Ankarasë- Instituti i Shkencave të Forenzikës dhe Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), ka filluar të mbahet në Prizren.

Me rastin e hapjes së simpoziumit, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, falënderoi qeverinë e Turqisë për dhënien e mbështetjes së vazhdueshme në zhvillimin e AKF-së.

“Jemi krenarë që edhe pse jemi shtet i ri, me investimet dhe përkrahjen që kanë bërë partnerët ndërkombëtarë, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, e  cila që nga fillimi ka një numër të madh shkencëtarësh, ka arritur të bëjë pjesë në agjencitë më të avancuara në regjion”, tha ministri Rexhepi. 

Ministri Rexhepi pohoi se si njëra ndër shtyllat  kryesore të procesit të hetimit, zbulimit, parandalimit të krimit, por edhe të vërtetimit të gjendjes faktike, shkenca e forenzikës në kohët moderne është në shërbim të drejtpërdrejtë të strukturave të sigurisë por edhe të prokurorisë dhe gjyqësisë.

“Një institucion shkencor i kompletuar si në aspektin profesional por edhe në atë teknik, do të ndihmonte në zbardhjen e shumë veprave në drejtim të marrjes së një vendimi të drejtë nga organet e hetuesisë dhe gjyqësisë”, shtoi ai.
 
Ndërsa ministri i Administratës Publikë, Mahir Jagcillar, tha se ky simpozium do tu shërbejë ekspertëve të të dyja vendeve në shkëmbimin e përvojave dhe të arriturat më të reja nga shkenca e forenzikës.

Drejtori i Institutit të Shkencave të Mjekësisë Ligjore të Universitetit në Ankara, Hamit Hanci, e vlerësoi lartë organizimin e këtij simpoziumi shkencor, duke propozuar që një shembull i tillë të ndiqet edhe nga shtetet e rajonit.

Kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri, tha se shkenca e forenzikës në Kosovë ka pasur një evolucion të madh, ndërsa në ditët e sotme AKF posedon bazat e të dhënave më moderne të cilat kanë dhjetëfishuar efikasitetin e punës së ekspertizave dhe komunikimit me sistemin gjyqësor, INTERPOL-in, policinë dhe agjencitë tjera për zbatimin e ligjit.

Altay Suroy, gjykatës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, tha se shkencat juridike në Kosovë janë shumë aktuale dhe janë shkenca që zhvillohen shpejtë.

“Në një shtet bashkëkohor, nëse shkencat juridike janë të zhvilluara atëherë kundërshtimet në mes të institucioneve janë më të vogla dhe zbatimi i ligjit është më i theksuar”, pohoi Suroy.

Simpoziumi shkencor “Ditët e Shkencës së Forenzikës Kosovë-Turqi”do të zgjasë deri më datë 14 gusht 2014.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)