Rexhepi e njoftoi Borchardin për Rishikimin e Sektorit të Sigurisë
Ministri Rexhepi e njoftoi Borchardt lidhur me vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimeve për Ministrinë e Punëve të Brendshme të dala nga ky proces, i Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, i iniciuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës qysh në mars të vitit 2012.
Ky proces është karakterizuar me qasje gjithëpërfshirëse, transparente dhe që involvoi të gjitha institucionet e sigurisë.
Ministri Rexhepi theksoi se rezultatet e këtij procesi janë konform nevojave tona të tashme dhe të ardhshme të sigurisë.
Analizat dhe rekomandimet e Rishikimit të Sektorit të Sigurisë i definojnë kapacitetet e duhura institucionale dhe caktojnë rolet, misionet dhe funksionet e agjencive adekuate me qëllim të ndërtimit dhe zhvillimit të institucioneve dhe strukturave të Qeverisë për ti bërë të krahasueshme me institucionet dhe strukturat Euro-Atlantike.
Për më tepër, Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë është në përputhje me prioritetet kombëtare dhe realitetin buxhetor. Ky proces dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës të jetë partner me shtete e rajonit në ndërtimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik. Borchardt falënderoi ministrin Rexhepi për njoftimin dhe riafirmoi mbështetjen e Misionit që ai drejton për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencioneve vartëse të saj.