Rexhepi dekorohet me urdhrin e nderit mbretëror të Francesco-s

Prishtinë, 12 maj - Në një ceremoni solemne të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ekselenca e tij, Marchese Pierluigi Sanfelice Bagnoli, përfaqësuesi Princit Carlo të Republikës së Italisë, ia dorëzoi ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, Urdhërim e Nderit të Rendit Mbretëror të Francesco-s së I-rë.
Ministri Rexhepi me këtë rast shprehu falënderimet e larta për respektin e dëshmuar me ndarjen e këtij urdhri, i cili jo vetëm që nderon personalitetin e tij, por edhe nderon shtetin e Kosovës dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij.
Gjithmonë kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me shtetin italian dhe me kontingjentin e Karabinierëve të cilët shërbejnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it. Ndihma e shtetit italian ishte evidente, jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në fusha tjera të natyrës më humane, siç janë rastet e ndihmës mjekësore dhe ndihmës së familjeve në nevojë. Kjo ndihmë ka dëshmuar edhe njëherë karakterin dhe natyrën humane të popullit italian, tha ministri Rexhepi.
Ndërsa përfaqësuesi i Princit Carlo, Ekselenca e tij, Marchese Pierluigi Sanfelice Bagnoli, shprehu kënaqësinë për ndarjen e këtij urdhri.
Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat ballafaqohet shteti i ri i Kosovës dhe mendojmë që falë vullnetit dhe bashkimit që ka dëshmuar populli i Kosovës rezultatet janë të dukshme, tha Ekselenca e tij.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Salvatore Farina i cili ishte pjesëmarrës gjatë kësaj ceremonie, theksoi bashkëpunimin shumë të mirë me ministrin Rexhepi në nivel institucional dhe personal.
Urdhri Mbretëror i Francescos së I-rë i ndahet personave meritor që kanë kontribuar në jetën publike në fusha të ndryshme.