Republika e Kosovës, si në kohën e Al Capone-s
Prishtinë, 14 tetor - Rritja enorme e krimit të organizuar dhe korrupsionit për këta 17 vjet pas luftës dhe mungesa e sundimit efikas të ligjit e ka shndërruar Kosovën në një shtet të ri, jofunksional, i cili në opinionin publik të kujton historisë amerikane, një tmerr që e përjetonin dikur qytetarët e Çikagos nga kreu i mafisë, Al Capone.
Deputeti Ismail Kurteshi, nga radhët e Lëvizjes \'Vetëvendosje\', konsideron se një kapje kaq e madhe e shtetit nuk mund të lirohet në mënyrë vullnetare nga rrjetet e sistemuarat kriminale nëse nuk vepron vetë qytetari, shkruan gazeta Kosova Sot.
Kurteshi thotë se pritja që procesit të shtetndërtimit funksional t\'i prijnë ndërkombë- tarët është krejtësisht iluzore dhe asnjëherë e realizueshme.
\"Deri kur Kosova do të jetë shtet i kapur, i dirigjuar, i keqpërdorur i..., varet nga qytetarët e Kosovës dhe vetëm nga ata. Nuk ka shtet në Botë që shtetet e tjera e kanë bërë shtet të zhvilluar ose shtet ligjor nëse qytetarët e atij shteti nuk kanë punuar shumë për vendin e tyre. Siç nuk ka familje që fqinjët ia kanë hequr fukarallëkun nëse anëtarët e familjes nuk janë angazhuar seriozisht për mirëqenien e tyre. Ndërkombëtarët janë të obliguar të bashkëpunojnë me qeverinë që e prodhojnë zgjedhjet e një vendi\", ka theksuar ai.
Sipas Kurteshit, nëse këta qeveritarë janë aq të mirë për qytetarët e Kosovës sa për t\'i fituar zgjedhjet, të mirë janë edhe për ndërkombëtarët.
\"Bindja e përhapur shumë në Kosovë se ndërkombëtarët do ta ndryshojnë gjendjen tonë, se ata do ta luftojnë korrupsionin, do ta rrisin cilësinë në arsim, do ta bëjnë më efikase administratën, do ta përmirësojnë gjendjen në shëndetësi etj., deri në shpresën se ata do të na sjellin një qeveri më të mirë është gabim shumë i madh\", tha Kurteshi për \"Kosova Sot\".
\"Me nocionin ndërkombëtar ne nënkuptojmë shtete të veçanta, shtetet veprojnë sipas interesave të tyre, është e çuditshme, por shpesh bashkëpunimi me qeveritë e korruptuara është më i lehtë për të huajt sesa me qeveritë e përgjegjshme, të cilat nuk lëshojnë pe kur është fjala për interesat e shtetit. Megjithatë, qeveritë i zgjedhim ne vetë, nëse vidhen votat i vjedhim ne për pushtetarët që po na vjedhin, nëse shiten votat ua shesim ne atyre që me parat që na i kanë vjedhur i blejnë ato, nëse falsifikohen votat i falsifikojmë ne qytetarët për ata që po i përsërisin që 17 vjet premtimet false\', tha deputeti Kurteshi.
Ai ka pohuar se tani vendimi është te sovrani për ndryshime.
/Kosova Sot/