Reduktimi i KFOR-it rrjedhojë e përmirësimit të sigurisë
Prishtinë, 21 qershor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë dhe anëtarë të kabinetit, ka pritur sot në takim një delegacion të gjerë nga nën-komisioni për të Ardhmen e Sigurisë dhe Aftësive të Mbrojtjes i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga kryetari i këtij nën-komisioni, Sverre Myrli.
Gjatë këtij takimi u diskutua rreth zhvillimeve që po e përcjellin shtetin e Kosovës në vitin e tretë të pavarësisë dhe për të ardhmen euro-atlantike të saj.
Duke iu uruar mirëseardhje përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kryeparlamentari Krasniqi dha një pasqyrë të situatës aktuale në Kosovë dhe të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi. Krasniqi theksoi se gjatë dekadës së fundit Kosova ka bërë progres të madh dhe po e krijon traditën demokratike.
Kreu i Kuvendit u fokusua në angazhimet maksimale të institucioneve të shtetit për integrimin e komuniteteve pakicë, me theks të veçantë atij serb, pjesa më e madhe të cilit po inkuadrohet në jetën politike dhe institucionale të shtetit të Kosovës. Në këtë rast veçoi zgjedhjet e djeshme në komunën e Parteshit, në të cilat morën pjesë rreth 65 për qind e komunitetit serb.
Kryeparlamentari Krasniqi theksoi se pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet problematike, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë në atë pjesë dhe mbi komunitetin serb atje.
I pari i Kuvendit foli për marrëdhëniet e mira që Kosova po kultivon me fqinjët e saj, me përjashtim të Serbisë, e cila vazhdon të eksportojë në veri të vendit pasiguri dhe destabilitet.
Sidoqoftë, kryeparlamentari tha se reduktimi i vazhdueshëm i KFOR-it vjen si rrjedhojë e përmirësimit të gjendjes së sigurisë dhe ngritjes operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila po bëhet me ndihmën e strukturave e NATO-s.
Duke potencuar objektivat e institucioneve të Kosovës, Krasniqi tha se ato kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, sundimin e rendit e ligjit në të gjithë territorin, luftën kundër dukurive negative. Objektiv kryesor, sipas kryeparlamentarit Krasniqi, është integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE. Jemi të vetëdijshëm që kemi shumë rrugë për të bërë, por jemi të vendosur që ta bëjmë atë.
Krasniqi foli edhe për punën e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë të veçantë për nxjerrjen e ligjeve sipas standardeve evropiane.
Anëtarët e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ngritën mjaft çështje dhe shtruan një sërë pyetjesh, me theks të veçantë në çështjen e sigurisë, marrëdhënieve me fqinjët dhe integrimit euro-atlantik.
I pyetur rreth kapaciteteve ekonomike të Kosovës për të funksionuar si shtet dhe mundësisë që ajo të bashkohet me Shqipërinë si mundësi për ta mbajtur veten, Krasniqi tha se Kosova ka potenciale të mjaftueshme ekonomike, duke përmendur në këtë rast pasuritë nëntokësore, tokën bujqësore dhe moshën e re të popullsisë së saj.
Kryeparlamentari tha se pavarësia e Kosovës është shpallë në koordinim me faktorin ndërkombëtar, ndërsa para saj bisedimet ishin zhvilluar mbi bazën e deklaratës politike të Grupit të Kontaktit, e cila përjashtonte kthimin në gjendjen e para vitit 1999, ndarjen e Kosovës dhe bashkimin me ndonjë shtet fqinj.
Duke iu përgjigjur interesimit të përfaqësuesve të NATO-s rreth sigurisë së objekteve fetare ortodokse në Kosovë, anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Sabri Hamiti, theksoi se për monumentet fetare në Kosovë nuk ka nevojë të ketë rojë speciale, sepse për shekuj me radhë ato nuk janë prekur nga shqiptarët. Hamiti theksoi se shqiptarët nuk kanë kurrfarë disponimi negativ ndaj objekteve të kultit fetar.
Kryetari i nën-komisionit për të Ardhmen e Sigurisë dhe Aftësive të Mbrojtjes i Asamblesë Parlamentare të NATO-s Sverre Myrli, ndërkaq, tha se vizita në Kosovë ka të bëjë me interesimin për gjendjen në vend dhe në rajon. Ai tha se Asambleja Parlamentare e NATO-s do të vazhdojë bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe mirëpret pjesëmarrjen e delegacionit në takimet e tyre në Bruksel. Myrli theksoi se për NATO-n është shumë me rëndësi të mbretërojë paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe Ballkan.