Rasmussen: NATO-ja do ta mbështesë FSK-në
Bruksel, 27 janar - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, ka deklaruar sot se misioni i Paktit Veriatlantik në Kosovë do të vazhdojë me mbështetjen për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Kemi vërejtur përparim të theksuar në Kosovë, kurse NATO-ja ofron mbështetjen vitale për normalizimin e marrëdhënive ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë Rasmussen në konferencën me gazetarë, me rastin e raportit vjetor në prag të samitit të ardhshëm të NATO-s në Uells.
Ai është angazhuar për bashkëpunim më të ngushtë jo vetëm në mesin e vendeve anëtare të Aleancës, por edhe të Partneritetit për paqe. Kemi marrë mësim në Afganistan dhe në Kosovë se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi me partnerë, ka thënë Rasmussen, duke e paraqitur raportin vjetor.
Duke theksuar pjesë nga raporti që ka të bëjë me Kosovën, Rasmussen ka thënë se tashmë shihen rezultatet e përparimit që është arritur pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve, në prill të vitit të kaluar.
NATO-ja ka luajtur rol të rëndësishëm në arritjen e kësaj marrëveshje, kurse të dyja palët kanë kërkuar nga ne mbështetje për zbatimin e saj, ka thënë shefi i NATO-s, duke theksuar se misioni i KFOR-it është garantues kyç i procesit politik përmes ofrimit të ambientit të sigurt.
Kur në nëntorin e vitit të kaluar u sulmuan vendvotimet në veri të Mitrovicës, KFOR-i me shpejtësi i shpërndau forcat, kurse më vonë ka marrë pjesë në sigurimin e transportit të kutive të votimit, ka përkujtuar ai.
Në Raportin vjetor, të cilin Rasmussen e ka prezantuar sot, thuhet se Këshilli i Aleancës Veriatlantike (krahu politik i NATO-s), në qershor të vitit të kaluar ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetin e plotë operacional. FSK-ja është multietnike, forcë e armatosur me armë të lehta nën kontrollin civil e cila, për dallim nga policia, para së gjithash është e ngarkuar për mbrojtje civile, asgjësimin e mjeteve shpërthyese, shuarjen e zjarreve dhe detyra të tjera humanitare, thuhet në raport, duke theksuar se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në.