Rasmusen: Reduktime shtesë të KFOR-it
Prishtinë, 15 shtator - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë sot në Bruksel se, pa marrë parasysh incidentet e fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është duke u përmirësuar.
Kjo bën që aleatët të jenë ende të interesuar për reduktim shtesë të pranisë ushtarake ndërkombëtare, ka thënë Rasmusen.
Ai, duke u përgjigjur në pyetjen se a është e zgjuar që të vazhdohet me zvogëlimin e pranisë së NATO-s në Kosovë, duke pasur parasysh situatën, tha se asnjë vendim nuk është marrë ende.
Ai po ashtu tha se sot ka pasur takim të vendeve që janë kontribuuese në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe është thënë se do të ishte tepër herët që tash të vendoset.
Shefi i NATO-s tha se para çdo vendimi për reduktim të mëtejmë të trupave të NATO-s në Kosovë, NATO-ja do të presë analizat e autoriteteve ushtarake, që do të analizojnë edhe situatën politike, por edhe situatën e sigurisë në terren.
Drejtimi që po merr Kosova dhe situata atje është e qartë situata e sigurisë është duke u përmirësuar, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, duke shtuar se ndoshta është edhe një lajm paksa i mirë se incidentet e fundit që kanë ndodhur, nuk kanë qenë të provokuara me motive politike, por si rrjedhojë e një rezultati të një ndeshjeje sportive.
Ndërkaq, lidhur me një çështje tjetër që është duke u përfolur në qarqet diplomatike rreth kërkesës së Serbisë për të bërë ndryshime në marrëveshjen tekniko-ushtarake që NATO-ja kishte arritur me Beogradin që në fund të vitit 1999, Rasmusen tha se NATO-ja është duke e shqyrtuar këtë kërkesë të Serbisë, porse asnjë vendim rreth kësaj nuk është marrë.
Ai tha se edhe në këtë rast pritet që së pari të përpilohet mendimi i autoriteteve ushtarake të NATO-s.
Shefi i NATO-s, megjithatë, përshëndeti atë që e quajti sjellje shumë konstruktive të Serbisë rreth rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ky është një hap shumë i mirë dhe shumë i mirëpritur i Serbisë që është në të mirë të të gjithëve, u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.