Rasmusen: Nuk lejojmë që në Kosovë koha të kthehet mbrapa
Berlin, 28 tetor - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, të enjten në Berlin gjatë një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se organizata më e fuqishme ushtarake në botë nuk do të lejojë që tensionet e fundit në Kosovë të kthejnë kohën mbrapa dhe se KFOR-i për 12 vjet ka ndihmuar në krijimin e një ambienti të qetë.
Rasmusen ka falenderuar kancelaren gjermane Angela Merkel, për angazhimin e Gjermanisë në operacionet e NATO-s në Kosovë dhe Afganistan, është bërë e ditur në ueb faqen e Aleancës Veri-atlantike.
Ushtarët tuaj po kryejnë punë shumë të mirë. Personalisht e kam parë kohë më parë në Kosovë. Gjatë 12 vjetëve të kaluar, KFOR-i në krye të cilit tash është Gjermania, ka ndihmuar në shndërrimin e njërës nga vatrat evropiane në një vend kryesisht të qetë. Ne nuk do të lejojmë që tensionet e fundit të kthejnë kohën mbrapa, është shprehur numri një i NATO-s.
Ndryshe, pavarësisht kërkesave të KFOR-it, serbët në veri vazhdojnë të mos heqin në tërësi barrikadat e vendosura në rrugë, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës.