Rasim Selmani caktohet udhëheqësi i Burgut të Sigurisë së Lartë
Prishtinë, 8 maj - Sot, ushtruesi i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Shemsi Hajrizi, ka marrë vendim për transferimin e drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës, Rasim Selmanin si udhëheqës të përkohshëm të Burgut të Sigurisë së Lartë (BSL) në Gerdovcë të Podujevës.
Vendimi për transferimin e Selmanit vjen pas anulimit të konkursit për pozitën e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, i cili u anulua nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, në përputhje me ligjin.
Selmani do të ushtrojë detyrën e udhëheqësit të Burgut të Sigurisë së Lartë, deri në zgjedhjen e drejtorit të këtij burgu, në bazë të procedurave të parapara ligjore për këtë pozitë.