Qytetarët emigrojnë edhe përmes pikës kufitare të Vërmicës
Prishtinë, 9 shkurt - Pika kufitare në Vërmicë ka filluar të shfrytëzohet nga qytetarët e Kosovës, për të emigruar në shtetet Perëndimore.
Ata po e shfrytëzojnë këtë pikë kufitare si alternativë për të ikur, pas ndalimit që po ju bëhet në pikën kufitare në Merdare.
Qytetari H.K. nga Malisheva ka treguar për PrizrenPress pse ka vendosur të emigrojë nga pika kufitare në Vërmicë.
Në pikën kufitare në Merdare nuk po lejojnë që të kalojmë, prandaj rruga e vetme më mbeti që të emigrojë nga kjo pikë kufitare, tregon ai.
Ai thotë se përmes Shqipërisë synon të dalë në Mal të Zi.
Nuk kam me lënë rrugë pa gjetur vetëm të mos rrijë në Kosovë. Nuk jetohet pa punë. Këtu nuk ka shpresë për jetë, rrëfen ai.
Burimet e PrizrenPressit bëjnë të ditur se në pikën kufitare në Vërmicë, ditëve të fundit është rritur numri i qytetarëve që kalojnë në Shqipëri.
Ata thonë se po shkojnë për qejfi në Shqipëri, por nuk kemi informacione se kjo pikë kufitare po përdoret për të ikur, tregon një burim për këtë portal.
/PrizrenPressi/