18 Janar 2025

Qytetarët e Kosovës e shohin si rrezik pjesëmarrjen në konfliktin në Siri dhe Irak

Prishtinë, 13 qershor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka lansuar sot hulumtimin nga edicioni special i Barometrit të Sigurisë (BKS), me titull “Pikëpamjet e qytetarëve ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë”.

Kosova është cilësuar si vend me një potencial të lartë të rekrutimit dhe përhapje të ideologjisë radikale. Këtë e vërtetojnë edhe profilet e pjesëmarrësve nga Kosova në luftën e Sirisë dhe Irakut të cilat ngërthejnë elemente dhe motive të ndryshme. Megjithatë gjetjet e hulumtimit të QKSS tregojnë se 95 % e qytetarëve (nga 1070 respodentët e anketuar gjatë vitit 2015), e perceptojnë si të dëmshëm vendimin për pjesëmarrjen e individëve në konfliktet në Siri dhe Irak. 75 % e të anketuarve kanë perceptim se ka rrezik nga personat e kthyer nga konflikti në Siri dhe Irak.  55% e të anketuarve janë të mendimit se personat e kthyer duhet të rehabilitohen në shoqëri.

Gjetjet e hulumtimeve të QKSS, kanë treguar se ndër faktorët kyç për këtë kryesisht konsiderohen të jenë faktorët socio-politik e ekonomik, mes tjerash: sistemi i degraduar i arsimit, papunësia mes të rinjve (60 % në Kosovë), izolimi shoqërorë dhe individual, ekzistimi i vetë ideologjisë ekstremiste në qarqe të ndryshme si dhe socializimi dhe grupimi i të rinjve rreth këtyre qarqeve.

Mirëpo rol të rëndësishëm ka luajtur edhe mos efikasiteti i institucioneve shtetërore dhe i atyre fetare për të parandaluar përhapjen e ideologjisë ekstremiste në shtetin e Kosovës, problem ky që po ashtu e kanë vendet e tjera të rajonit dhe ato të Evropës.

Një ndër faktorët që nuk mund të lihet anash pa përmendur, e që ka ndikuar në joshjen e të rinjve, është fakti i izolimit të tyre në zonat rurale, cytja me ligjërime nga disa imamë të cilët tashmë janë në mesin e të arrestuarve për rekrutim dhe bashkëpunim me grupet ekstremiste.

Ky edicion special i Barometrit Kosovar të sigurisë së QKSS-së, ndërkaq shpalosë edhe nivelin e besueshmërisë së qytetarëve dhe kontaktit të tyre me institucionet fetare dhe perceptimet e tyre rreth kërcënimeve nga grupet ekstremiste si dhe rreziku nga personat të cilët janë kthyer nga konflikti i Lindjes së Mesme në Kosovë.

Trendët e përgjithshme tregojnë se të anketuarit ndajnë perceptime më pozitive ndaj institucioneve fetare krahasuar me ato shtetërore. Qytetarët që deklaruan se i besojnë punës së Qeverisë janë 14 përqind, punës së gjykatave rreth 22 përqind krahasuar me institucionet fetare ku besueshmëria ndaj tyre është 57 përqind.

Rreth 76 përqind e qytetarëve i shohin si shumë rrezik organizatat terroriste të tipit ISIS dhe Al-Nusra, kurse pjesa tjetër, apo 8 përqind i shohin si rrezik mesatar këto organizata.

Rreth 55 përqind deklaruan se qytetarët e Kosovës të kthyer nga lufta e Sirisë dhe Irakut duhet t’i nënshtrohen programeve strikte të ri-integrimit, rehabilitimit, dhe deradikalizmit. Pjesa tjetër, apo 22 përqind, e qytetarëve të anketuar mendojnë se ata duhet të arrestohen qysh në momentin e kthimit të tyre në Kosovë, ndërsa 15 përqind mendojnë se ata duhet t’u ndalohet kthimi në Kosovë. 

Së fundi, rreth 57 përqind e qytetarëve të anketuar deklaruan së Qeveria e Kosovës dështoi në luftimin e ekstremizmit te dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë, ndërsa në anën tjetër rreth 35 përqind e të anketuarve e shohin si deri diku të suksesshme punën e Qeverisë në drejtim të luftimit dhe parandalimit të ekstremizmit te dhunshëm në Kosovë.

Ndryshe, Barometri Kosovar i Sigurisë (BKS) është program i veçantë i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i hartuar për të shërbyer si publikim vjetor. Përveç gjetjeve të përgjithshme, programi nxjerrë edicione speciale në fusha të përcaktuara paraprakisht.

Fokusi kryesor i BKS-së është matja e perceptimeve të opinionit publik për institucionet dhe politik-bërjen në fushën e sigurisë. Gjithashtu, ai matë perceptimin publik për kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj sigurisë në Kosovë. BKS-ja është një nga nismat më të mëdha, madje ndër të parat, që janë hartuar, zbatuar dhe komunikuar nga një institut vendor kërkimor. BKS-ja është unike në qasjen e saj metodologjike, siç është përshtatja e metodave kuantitative dhe kualitative me qëllim të ofrimit të rezultateve reale për perceptimin publik sa i përket çështjeve të lidhura me sigurinë.

Anketat e Barometrit Kosovar të Sigurisë për këtë edicion janë realizuar në tetor të vitit 2015 nga një ekip prej 30 hulumtuesish përfshirë mbikëqyrësit si dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Mundësi të barabartë për intervistim kanë pasur gratë, burrat, të rinjtë dhe të moshuarit, banorët e zonave urbane dhe rurale, si dhe të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)