QKSS lanson raportin për integrimin e Kosovës në BE dhe kërcënimet e sigurisë

Prishtinë, 25 mars - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) organizon konferencën virtuale për lansimin e dy raporteve të fundit në serinë e publikimeve të dala nga anketa e kryer nga QKSS “Barometri Kosovar i Sigurisë”.
Raporti i parë tregon përceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e Kosovës në BE, përderisa raporti i dytë lidhet me përceptimet e qytetarëve për sigurinë publike dhe kërcënimet e sigurisë.
Në këtë konferencë do të shqyrtohen përceptimet e të anketuarëve kosovarë për çështjet e mëposhtme: Bashkëpunimi bilateral i Kosovës; Bashkëpunimi ndërkufitar me vendet e rajonit dhe siguria rajonale; Qëndrimet e qytetarëve karshi procesit të anëtarësimit në BE; Përceptimet e qyteterëve mbi rreziqet potenciale që i kanosen komunitetit dhe Përceptimet e qytetarëve mbi rreziqet potenciale, të brendshme dhe të jashtme, për sigurinë nacionale të Kosovës.
Raportet bazohen në të dhënat e mbledhura nga edicioni i fundit i anketës së Barometrit Kosovar të Sigurisë, të kryer në Kosovë në shtator 2020.
Ky projekt ëshë një nga iniciativat më të suksesshme kërkimore të implementuara në baza vjetore nga një OJQ ose Institut hulumtues joshtetëror në Kosovë.
Gjithashtu është një nga iniciativat më të pavarura dhe të besueshme në Kosovë, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).