QKSS demanton Partinë e Drejtësisë
Prishtinë, 23 qershor - Gjatë ditës së sotme në media është publikuar një artikull me titull Serbia drejt kolonizimit të Kosovës, QKSS drejt klasifikimit të miqve në armiq!!, shkrim me autor Fidan Mustafa sekretar i përgjithshëm i Partisë së Drejtësisë në Kosovë. Shkrim ky që në përmbajtje të saj i referohet Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe konferencës së saj së djeshme me informata të pavërteta.
Njëkohësisht citohet në mënyrë të pasaktë drejtori i QKSS, Dr. Florian Qehaja. Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, dhe të drejtës së gjithsecilit për informatë të drejtë dhe të saktë, ju njoftojmë që referencat e QKSS në shkrimin e autorit janë të pavërteta. Konferenca e djeshme e QKSS ka pasur për qëllim të vë në pah rolin e edukimit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe asnjëherë ka pasur diskutim rreth kolonizimit të veriut të Mitrovicës.
Anën tjetër duam po ashtu që të sqarojmë se deklaratat e profesorit David L. Philips lidhur me Turqinë janë krejtësisht qëndrime personale të profesorit Philips dhe nuk reflektojnë në asnjë moment qëndrimet e QKSS-së.
Qendra jonë gjithherë i ka ofruar mundësi pjesëmarrësve të saj në konferenca që të shprehin mendimet e tyre dhe asnjëherë nuk do të cenojë lirinë e shprehjes së ndonjë personi. Mirëpo, është shqetësuese që individë të caktuar shtrembërojnë të vërtetën. Andaj ju njoftojmë po ashtu se QKSS do të ndjek të gjitha procedurat ligjore ndaj autorit të shkrimit që i është referuar në mënyrë të pasaktë QKSS-së.
Deklaratat e z. Phillips mund ta kenë cenuar agjendën e Partisë së Drejtësisë, megjithatë ne si qendër nuk marrim përgjegjësi për deklaratat individuale dhe do të vazhdojmë të ofrojmë platformën tonë për mendime kritike e individuale në sferën e gjerë të sigurisë. Ekstremizmi i dhunshëm përbën një ndër sfidat e sigurisë në Kosovë krahas sfidave tjera siç janë krimi i organizuar, korrupsioni, roli i Serbisë etj, sfida këto që qendra tash e sa vite i ka trajtuar.
Puna profesionale dhe hulumtimet e QKSS të njohura në nivel vendor e ndërkombëtar mund të mos i përshtaten agjendave të caktuara, megjithatë kjo nuk do të ndal ekipin e QKSS në kryerjen e detyrave.