13 Janar 2025

QKRMT shpreh shqetësimin për vetëvrasjevet në burgjet e Kosovës

Prishtinë, 26 shtator - Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), në kuadër të mandatit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese me datë 25 shtator ka ndërmarrë një vizitë monitoruese në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Vizita kishte për qëllim monitorimin dhe vlerësimin e situatës lidhur me dy incidentet e fundit në QK në Dubravë të datës 19 dhe 20 shtator 2014, respektivisht një vetëvrasje dhe një dhunim seksual i një të dënuari.

Në bazë të informacioneve dhe raporteve mjekësore të konsultuara, ekipi i QKRMT ka konstatuar se i dënuari i vetëvrarë ka qenë i diagnostifikuar me diagnozë psikiatrike dhe është trajtuar me terapi psikiatrike.

Në bazë të informacioneve i ndjeri kishte tentuar të bënte vetëvrasje edhe në vitin 2013 dhe në fillim të 2014, ndërsa i kishin mbetur vetëm edhe një vit nga vuajtja e dënimit nga dënimi prej 14 viteve burgim.

Për shkak të këtyre indikacioneve me rekomandimin e psikologut të institucionit i ndjeri nga data 17.09.2014 ishte vendos në vëzhgim të vazhdueshëm të oficerëve korrektues në Pavionin 7 ku trajtohen personat e dënuar me nevoja të veçanta.

I ndjeri është gjetur i vetëvrarë në banjon e dhomës ku qëndronte edhe me dy të dënuar të tjerë në mëngjesin e datës 20.09.2014. Rasti është raportuar nga të dënuarit e dhomës së tij të cilët së pari e kishin gjetur të ndjerin e vetëvrarë na banjo. Reagimi i stafit shëndetësor ka qenë i menjëhershëm dhe rreth orës 05:15 është konstatuar vdekja e tij.

QKRMT ka marrë pohimet nga menagjmenti dhe stafi i institucionit se ambientet përbrenda pavionit 7 nuk garantojnë një mbikëqyrje efikase të këtyre rasteve, duke përfshirë edhe rastin në fjalë, i cili ishte i vendosur në largësi të konsiderueshme nga dhoma e oficerëve prej nga bëhej mbikëqyrja dhe pa kurrfarë pajisje monitorimi/vëzhgimi.

QKRMT vlerëson se ambientet në të cilat ishte vendosur i dënuari, respektivisht distanca e theksuar ndërmjet dhomës së tij dhe mbikëqyrësit e kanë bërë të pamundur një vëzhgim efikas dhe të rregullt të të dënuarit të ndjerë.

QKRMT dëshiron të përkujtojë se autoritetet shtetërore, në këtë rast institucionet korrektuese të Kosovës kanë përgjegjësi për ofrimin e sigurisë, jetës, shëndetit apo mirëqenies sociale të personave të dënuar derisa janë nën autoritetin e tyre.

Më tej, QKRMT shpreh shqetësimin për rastet në rritje të vetëvrasjeve apo tentim vetëvrasjeve në institucionet korrektuese të Kosovës të cilat duhet të merren më seriozisht nga Shërbimi Korrektues dhe programe apo politika të veçanta duhet të aplikohen për trajtimin dhe parandalimin e tyre.

QKRMT po ashtu ka monitoruar rastin e dhunimit seksual në ambientet e Pavionit 5 në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

I dënuari viktimë e dhunimit ishte vendosur në Dubravë me 18.09.2013 në një dhomë me 4 të dënuar të tjerë. Të dënuarit e tjerë po ashtu ishin të transferuar nga institucionet tjera korrektuese në QK në Dubravë dhe kishin vepra të ndryshme penale dhe kohëzgjatje nga 3, 6 dhe 17 vite burgim.

Me datën 19.09.2014 rreth orës 22:10 të dënuarit e vendosur në dhomë me viktimën e dhunimit kishin kërkuar ndihmën e mjekut me pretekstin se i dënuari-viktimë e dhunimit ka tentuar të bëjë vetëvrasje. I dënuari tek mjeku ishte ankuar se ka dhimbje barku.

Ndërsa në vizitën e radhës tek mjeku me datë 20.09.2014 rreth orës 17:00, ishte ankuar për dhunim seksual nga të dënuarit e dhomës së tij. Stafi i ndërrimit pohon se i dënuari është marrë me batanije nga disa të dënuar dhe anëtarë të stafit dhe është dërguar në spitalin e institucionit. Pas kësaj vizite, i dënuari me udhëzimin e mjekut është drejtuar për në Spitalin Rajonal në Pejë.

Deklarata me shkrim e 3 oficerëve të ndërrimit thekson se në vizitën e parë në dhomën e të dënuarit-viktimë me 19.09.2014, e kanë gjetur të shtrirë në krevatin e tij dhe menjëherë kanë njoftuar teknikun kujdestar i cili i ka dhënë një injeksion të dënuarit.

Në ditën e vizitës së QKRMT me 25.09.2014, i dënuari ishte dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor në QKU në Prishtinë, ndërsa është kthyer në Dubravë rreth orës 15:00.

Në intervistën e ekipit të QKRMT, i dënuari pohoi se fillimisht është provokuar nga 4 të dënuarit e dhomës dhe më pas është sulmuar nga ta. Për sjelljet jo të hijshme dhe provokimet nga të dënuarit e tjerë ai kishte raportuar tek stafi dhe kishte kërkuar t’i ndërrohej dhoma por stafi nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim.

Prokuroria themelore e Pejës ka filluar menjëherë hetimet për të dy rastet. Instituti i Mjekësisë Ligjore, po ashtu ka vizituar Qendrën Korrektuese të Dubravë me datën 23.09.2014 lidhur me këtë rast.

QKRMT edhe në të kaluarën ka raportuar për sistemim jo të duhur të të dënuarve nëpër institucionet korrektuese e veçmas në Dubravë, ku nuk respektohen kriteret bazike si natyra dhe pesha e veprës penale, lartësia e dënimit etj.

Në rastin në fjalë i dënuari – viktimë e dhunimit është i dënuar me vetëm 20 ditë, ndërkaq është vendosur në një dhomë me të dënuar me dënime afatgjata me burgim që ka rezultuar me sjellje dhe pasoja të tilla për të dënuarin.

Edhe pse QK në Dubravë vuan nga mbipopullimi i theksuar gjatë viteve të fundit dhe në këto kushte sistemimi i duhur i të dënuarve është mjaft sfidues, QKRMT vlerëson se kriteret bazë të vendosjes duhet të respektohen si dhe çdo indikacion apo rrethanë e rëndësishme duhet të vlerësohet në mënyrë që raste të tilla apo të ngjashme të parandalohen.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)