Qindra Policë të Kosovës nën hetime për korrupsion
Prishtinë, 5 mars - Mbi 300 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë nën hetim, me dyshimin se janë të përfshirë në afera korruptive, krim, dhe vepra të tjera penale, në mesin e të cilëve gjenden edhe eprorë të lartë.
Mbi 333 pjesëtarë të PK-së para se të përballen me drejtësinë, kanë kaluar nëpër filtrat e Inspektoratit Policor, shefit të Policisë dhe më pastaj i janë adresuar gjyqësorit.
Departamenti i Hetimeve të Inspektoratit Policor të Kosovës deri më tani ka ngritur 524 akuza disiplinore për shkelje të rëndë disiplinore ndaj pjesëtarëve tëpolicisë, duke i rekomanduar Komisionit për Emërime të Larta Policore masa disiplinore që nga largimi nga puna, gjoba, largim nga pozita komanduese, ulje të gradës..., etj.
Sipas kryeshefit të Inspektoratit Policor (IPK), Enver Rrustemi, Komisioni për Emërimet të Larta Policore deri më tani ka shqyrtuar 520 raste, për të cilat duke u bazuar në provat e mbledhura nga IPK-ja dhe rekomandimet e bëra, ndërsa për 442 raste i ka rekomanduar drejtorit të përgjithshëm të Policisë shqiptimin e masave disiplinore kundër pjesëtareve të policisë.
Kryeshefi Rrustemi ka bërë të ditur se shefi i policisë ka arritur që të marrë 378 masa disiplinore duke filluar me largim nga puna, largim nga pozita komanduese, ulje të gradës dhe shumë masa tjera disiplinore.
Në këtë mes janë diku rreth 119 pjesëtarë të policisë, të cilët janë ankuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), duke pretenduar se kreu i Policisë iu ka hyrë në hak në momentin e shqiptimit të masave disiplinore.
Ndërkohë një numër i zyrtarëve policorë po hetohen edhe nga Prokuroria e Shtetit, kjo është konfirmuar nga vetë zyrtarët e këtij institucioni.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit në Kosovë, Liridonë Kozmaqi, ndonëse nuk ka mundur të japë informata për numrin e rasteve të pjesëtarëve policorë që po hetohen, megjithatë ka pranuar se ka një numër të madh dosjesh.