Qeveria shtyn votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol
Prishtinë, 21 shtator - Qeveria e Kosovës, sot ka marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol është kontribut direkt në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe terrorizmit.
Republika e Kosovës sipas tij është e gatshme që të marrë përgjegjësitë e plota si anëtare e Interpolit.
"Besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë."
"Si kryeministër i Kosovës, sot kam marrë vendim për të shtyrë votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate", ka theksuar Haradinaj.