Qeveria propozon Rrahman Ramen, komandant te FSK-së
Pas aprovimit të propozimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozimi i dërgohet për miratim Presidentes zonjës Atifete Jahjaga, e cila edhe e emëron komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli në bazë të autorizimeve ligjore ka nominuar për Komandant të Forcës së Sigurisë së Kosovës, oficerin madhor të FSK-së, me gradën më të lartë, gjeneral major Rrahman Ramën, pasi që Komandanti i tanishëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, do të pensionohet sipas Ligjit për pensionet e pjesëtarëve të FSK-së, nr 04/L0.84.
Ministri Demolli, në bazë të ligjit me numër 03/L-045, të datës 13 mars 2008, nenit 3.6 të ligjit për Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i rekomandon Presidentit kandidatin e përshtatshëm për ta emëruar Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Gjeneral Major Rrahman Rama, aktualisht është zëvendës komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandant i Komandës së Forcave Tokësore.