Qeveria pret që Brukseli ta heqë barrikadën
Prishtinë, 5 janar - Strategjia e Brukselit për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, duke bërë largimin e të ashtuquajturit Park i paqes, nuk është prezantuar ende.
Kur pala kosovare dhe ajo serbe ishin pajtuar në gushtin e vitit të kaluar për ti dhënë zgjidhje barrikadës - park, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kishin thënë se brenda gjashtë muajsh barrikada do të hiqet, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo nuk pritet të ndodhë dhe nga Brukseli nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se kur do të adresohet kjo çështje. Njohës të rrethanave politike thonë se përderisa në Prishtinë nuk ka ndonjë politikë aktive, largimi i barrikadave mbetet në vullnetin e Beogradit.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e re të Kosovës dhe ish-kryenegociatore me Serbinë, Edita Tahiri, ka pranuar se është vonuar heqja e barrikadës dhe se as tash nuk ka një datë se kur mund të largohet, përcjell koha.net. Por, sipas saj, janë pjekur kushtet që Brukseli të veprojë për ndryshimin e pamjes mbi lumin Ibër.
Ne kemi kërkuar që Brukseli të veprojë sa më shpejt, të heqë barrikadat, sepse tashmë Bashkimi Evropian është kompetent për të rivitalizuar urën, heqjen e barrikadës mbi urë dhe përreth saj. Kjo marrëveshje, siç dihet, është arritur në gusht, ka thënë Tahiri, në intervistën për Kohën Ditore.