Qeveria pa të dhëna të sakta për imigrantët ilegalë
Prishtinë, 12 janar - Qeveria e Kosovës ende nuk ka të dhëna për numrin e kosovarëve që po migrojnë ilegalisht në shtetet perëndimore duke shfrytëzuar rrugët transite të Serbisë.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kanë bërë të ditur për gazetën se nuk kanë të dhëna definitive mbi numrin e qytetarëve që tanimë kanë migruar në mënyrë të jashtëligjshme në shtetet evropiane.
Informatat që ata posedojnë janë të vjetra më tepër se një muaj.
Deri në fund të muajit nëntor të 2014-s, sipas raportimeve mujore të shteteve të ndryshme në bazën e Eurostatit, të dhënat tregojnë se numri i kërkesave dhe kërkesave për herë të parë për azil është rreth 23 mijë, thuhet në përgjigjet e Zyrës për informim të MPB-së.
Ata nuk japin të dhëna se sa është numri i personave që janë zënë duke ikur ilegalisht, se sa kallëzime penale janë ngritur lidhur me këtë dhe si po trajtohen ata persona duke vlerësuar se këto sqarime duhet ti japë Policia e Kosovës.
/Koha Ditore/