Qeveria miraton Projektligjin për ndërmjetësim edhe Projektligjin për noterinë
Prishtinë, 3 tetor - E udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të gjashtën me radhë në të cilën ka miratuar gjashtë projektligje dhe vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Një nder vendimet që ka miratuar Qeveria është edhe Projektligji për ndërmjetësim.
Ky projektligj rregullon mënyrën, funksionimin, procedurën dhe organizimin e ndërmjetësimit si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve. Kjo bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve dhe kontesteve midis palëve. Projektligji është në pajtueshmëri me legjislacionin evropian.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për noterinë. Projektligji rregullon organizimin, kushtet për ushtrimin e detyrës së noterit, provimin e noterisë, kompetencat e noterit si dhe çështjet tjera me rëndësi për ushtrimin e detyrës së noterit në territorin e Republikës së Kosovës.
Edhe Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik është aprovuar nga Qeveria.
Ky Projektligj forcon integritetin dhe garantimin e kryerjes së detyrave publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente të zyrtarëve publik. Qëllimi i Projektligjit është që të identifikojë, parandalojë, menaxhojë dhe zgjidh konfliktin e interesit të zyrtarëve publik.
Projektligji i fundit që mori aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ishte Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trashëgiminë në Kosovë. Projektligji harmonizon legjislacionin që ndërlidhet me fushën e trashëgimisë dhe eliminon pengesat dhe vështirësitë e tij në zbatim.
Ndryshimet dhe plotësimet autorizojnë noterët në kryerjen e disa funksioneve në fushën e trashëgimisë dhe përfshirjen e organit të kujdestarisë në dhënien e lejes për heqjen dorë nga trashëgimia në emër të të miturve.
Me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria ka aprovuar vendimin për bartjen e një pjese të stafit politik e profesional të kësaj ministrie në qytetin e Prizrenit. Vendimi do të realizohet nga ministria, komuna dhe institucionet tjera.
Qeveria ka miratuar rekomandimin e Panelit të posaçëm (ad-hoc) për emërimin e Martin Halilajt për hetues për hetimin e aksidenteve hekurudhore.