Qeveria miraton Projekt Kodin Penal të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 13 prill - Projekt Kodi Penal i Republikës së Kosovës është aprovuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky Projekt Kod është bazuar në tri parime themelore: sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; funksionimi i organeve te pavarura për zbatimin e ligjit; dhe mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të njeriut.
Plotësimet dhe ndryshimet e Kodit Penal të Republikës së Kosovës kanë qëllimin e vetëm, që të avancojnë sundimin e ligjit, forcimin e institucioneve të pavarura në luftimin e krimit dhe qasje e drejtë dhe efektive në sistemin e drejtësisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
Kodi i ri adreson tri tema të gjëra: Masat kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; Masat për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Masat kundër terrorizmit dhe parandalimin e tij.
Dënimet për vepra penale që ndërlidhen me korrupsion janë rritur dhe janë propozuar amendamente të reja që i ndalojnë personave të dënuar për korrupsion që të ushtrojnë pozita dhe funksione në administratën publike në kohëzgjatje deri në 10 vjet nga shpallja e aktgjykimit dënues.
Duhet përmendur se në hartimin e këtij Kodi kanë qenë të angazhuar 180 anëtarë të grupeve dhe nëngrupeve tematike, të përbëra nga shoqëria civile, mediat, institucionet ndërkombëtare, kanë punuar në ndryshimin dhe plotësimin e 100 neneve të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kryeministri e ka vlerësuar si ditë të suksesshme miratimin e këtij Projekt Kodi, që e ka të fokusuar forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe luftën e të gjitha formave të krimit në vendin tonë.