Qeveria miraton lehtësimin e lëvizjes se lirë me Maqedoninë
Prishtinë, 4 mars - Edhe nisma për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për kushtet e udhëtimit të shtetasve të dyja vendeve është miratuar në parim nga kabineti qeveritar.
Marrëveshja rregullon lëvizjen e shtetasve të të dyja vendeve në territorin e palës tjetër pa viza dhe me një dokument të vlefshëm udhëtimi ose kartë të vlefshme biometrike të identitetit dhe do të avancojë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.
Gjithashtu Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve ka marr miratimin në parim në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Të dyja vendet do të njohin patentë shoferët e lëshuar nga autoritetet kompetente dhe në pajtim me legjislacionin e tyre kombëtar.
Qeveria gjithashtu ka miratuar në parim nismen për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e sigurisë.