Qeveria miraton legjislacionin që rregullon rolin dhe mandatin e FSK-së
Prishtinë, 13 shtator - Qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë kuadër është miratuar Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes.
Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.
Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si një shërbim i ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.
Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.
Me propozim të Zyrës së Kryeministrit, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshim të programit legjislativ që lidhen me ndryshimin e afateve për miratim nga Qeveria e Republikës së Kosovës këtyre Projektligjeve:
- Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbimet Private të Sigurisë;
- Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësi;
- Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Miratimin e kabinetit qeveritar pas shqyrtimit e ka marr edhe Koncept Dokumenti për Fushën e Tregtisë, i cili synon që të adresoj problemet me të cilat ballafaqohet sektori i tregtisë (tregtia e brendshme dhe tregtia e jashtme), siç është paraparë në Planin e Punës të Qeverisë për Vitin 2018, ka iniciuar dhe hartuar draftin e koncept dokumentit për Fushën e Tregtisë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndër-Ministror për Ndërmarrjet Publike për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të aseteve të NPQ “Aeroporti i Gjakovës” për KRU “Gjakova”.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit për Prokurimin Publik, për Projektin “Ngritja e Sigurisë Kibernetike”.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dhënien e pëlqimit për vendosjen e kabllos optike për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, në Zonën Kadastrale Vrellë e Goleshit, Komuna Lipjan.
Me vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme janë aprovuar kërkesat e Komunës së Prizrenit dhe Istogut për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të paluajtshme në pronësi të këtyre komunave për qëllim të realizimit të projekteve me interes publik.
Edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësimin e pronave për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga themelimi i Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, Zonat Kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik të Komunës së Malishevës është miratuar sot nga kabineti qeveritar.
Qeveria ka miratuar Rregulloren për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore.