Qeveria mbështet financiarisht Prokurorin Speciale
Prishtinë, 23 prill - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Iv de Kermabo dhe nga ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Haki Demolli, ka vizituar Departamentin e Prokurorisë Speciale.
Kryeministri Thaçi dhe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo kanë përshëndetur edhe krijimin e Task-Forcës për luftimin e korrupsionit, që do të përbëhet nga prokurorë dhe ekspertë të policisë, vendorë dhe ndërkombëtarë.
Jemi këtu për të treguar mbështetjen tonë të plotë politike për departamentin e Prokurorisë Speciale dhe për Task-Forcën e luftës kundër korrupsionit. Mbështetja jonë do të jetë e gjithanshme duke filluar nga mbështetja politike, financiare dhe profesionale, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar se është në interesin e gjithë shoqërisë kosovare që të mbështes dhe ndihmojë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të të gjitha dukurive tjera devijante. Në këtë mënyrë ne do të sigurojmë një shoqëri të sigurt dhe me të ardhme.
Ne po krijojmë një partneritet të veprimit edhe me faktorët ndërkombëtarë që janë në Kosovë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të vazhdojmë edhe me thellimin e reformave në drejtësi, si hap për krijimin e rrethanave më të favorshme në zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.