Qeveria e Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të Dugollit
Prishtinë, 11 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për ndalimin e shefit të Protokollit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gafurr Dugolli, nga ana e autoriteteve maqedonase, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
Ndalimi i z. Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet jolegale serbe, me pretendimin tashmë të njohur për kryerje të krimeve të luftës.
Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, do të kërkojë me insistim nga autoritetet e Bashkimit Evropian si dhe partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës që të përdorin ndikimin e tyre te Serbia për ti dhënë fund përndjekjeve të karakterit të tillë ndaj qytetarëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës është informuar se Serbia para pak ditësh, duke shkelur çdo praktikë ndërkombëtare, ka përditësuar listën e re, ku sërish janë përfshirë qytetarë dhe personalitete të Republikës së Kosovës, me çrast i konsideron ato akte krejtësisht të pavlera dhe të cilat duhet të injorohen e të mos merren fare parasysh nga shtetet fqinje dhe me gjerë.