Qeveria e Kosovës është e interesuar të ndihmojë drejtësinë
Prishtinë, 11 mars - Zëvendëskryeministri dhe Minisitri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi pritën sot në takim Prokurorin e TFHS, Clint Williamson dhe shefin e Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt.
Në këtë takim zëvendëskryeministri Kuçi shprehu qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me punën e task forcës, për çka ai theksoi se Qeveria e Kosovës është e interesuar të ndihmojë drejtësinë dhe të vërtetën dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë me BE-në dhe SHBA-në, por njëkohësisht të respektohet juridiksioni i vendit tonë dhe në çdo rast të ruhet imazhi i luftës së drejtë dhe i vendit tonë.
Zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se Republika e Kosovës ka ndërtuar kapacitetet e mjaftueshme në fushën e drejtësisë për të trajtuar çdo rast eventual.
Institucionet e drejtësisë kanë rritur kapacitetet e domosdoshme, qoftë gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, ata të EULEX-it, të cilët me sukses mund të trajtojnë çështjet e drejtësisë dhe për këtë kërkoi që çdo gjykim eventual të mbahet në territorin e Republikës së Kosovës dhe sipas ligjeve dhe juridiksionit të Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë partnerë të drejtësisë dhe të institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë për çka do të vazhdojnë, por edhe kërkojnë që të respektohet sovraniteti i vendit tonë, të njihen të arriturat në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi me EULEX-in, si dhe të respektohen të drejtat e njeriut të secilit qytetar, sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe të ruhet imazhi i vendit tonë.
Zëvendëskryeministri Kuçi theksoi nevojën që institucionet e Kosovës të jenë partnerë në këtë proces dhe çdo vendim për këtë proces duhet të respektojë qëndrimin sovran të institucioneve të vendit tonë.
Njëkohësisht zëvendëskryeministri Kuçi kërkoi mbështetjen dhe mirëkuptimin e të gjithë akterëve për qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili garanton drejtësi të pavarur, të paanshme dhe profesionale, si dhe ruan e imazhit të sistemit të drejtësisë dhe të Republikës sonë.