Qeveria e dënon ashpër sulmin ndaj ministrit Kuçi
Prishtinë, 6 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon ashpër sulmin ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të kryer të premten nga Lëvizja Vetëvendosje.
Veprimet e tilla të dhunshme, rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e përfaqësuesve të institucioneve legjitime të Kosovës dhe kanë për synim të frenojnë progresin dhe proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës.
Ky akt i ulët, i kryer në ditët kur Republika e Kosovës, pas nënshkrimit të MSA-së është në prag të anëtarësimit në UNESCO dhe pret liberalizimin e vizave, dëshmon përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar dhe pamundësuar realizimin e interesave madhore të Kosovës, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.
Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje përfaqësuesve të tjerë opozitarë që të distancohen dhe të mos bëhen pjesë e kësaj agjende antishtetërore, dhe që së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, të jenë pjesë e angazhimeve për zhvillim ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit, integrim në struktura euroatlantike dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, në partneritet të përhershëm me SHBA-të dhe vendet e BE-së.
Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton organet kompetente që të marrin masa në parandalimin dhe ndjekjen e kryerësve të akteve të tilla të dhunshme dhe të ulëta.