Qetë në veri
Mitrovicë, 2 shtator - Situata e sigurisë gjatë javës së fundit ka qenë e qetë në veri të Mitrovicës. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, tha se nuk ka pasur ndonjë incident që do të ndikonte në situatën e përgjithshme.
Situata në përgjithësi ka qenë e qetë, ndërsa banorët janë shqetësuar për shkak të të shtënave me armë zjarri gjatë orëve të natës.
Ai kërkoi nga strukturat e sigurisë që të marrin masa për të parandaluar grupet ekstremiste serbe që po tentojnë në çdo mënyrë të tensionojnë situatën.
Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i duhet të jenë më energjike dhe më të vendosura për tu përballur me grupet që po e sfidojnë rendin dhe ligjin.
Bala përmendi si shqetësim edhe fillimin e ndërtimit të një objekti për banim kolektiv nga strukturat paralele serbe në Lagjen e Boshnjakëve.
Banorët janë të shqetësuar meqë dyshohet se ai objekt do të ndërtohet për të vendosur aty kolonë serbe.