Publikohen të gjeturat në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit
Prishtinë, 11 korrik - Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë sot ka prezantuar inspektimin e bërë në bashkëpunim me EULEX-in në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit të Kosovës, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Në këtë takim në të cilin morën pjesë Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri, Udhëheqësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Shemsi Hajrizi dhe përfaqësues nga EULEX-i, Kryeinspektori Ylber Topalli tha se fushat e inspektuar gjatë kësaj periudhe kanë qenë: standardizimi i procedurave, masat e sigurisë, të drejtat e të burgosurve në shfrytëzim të shëtitjeve, aktiviteteve të lira, ushtrimit të fesë etj., si dhe shërbimet shëndetësore që ju ofrohen. Ai pasi prezantoi të gjeturat e inspektimit, paraqiti edhe rekomandimet për përmirësimin e të gjeturave, ndërsa duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë që kanë me EULEX-in, falënderoj këta të fundit për mbështetjen që kanë dhënë gjatë inspektimit.
Zëvendësministri Abdyli tha se puna e Inspektoratit e bërë në bashkëpunim me EULEX-in, është punë shumë e mirë, ndërsa rekomandimet e dhëna sot, duhet të jenë sfidë për SHKK-në.
Udhëheqësi i SHKK-së, Hajrizi tha se në shërbimin korrektues ka progres dhe se rekomandimet e paraqitura do ti marrin si udhërrëfyes për punën e tyre.
Gjithashtu edhe përgjegjësi i EULEX-it, Stephen Johnston, vlerësoi lartë punën e Inspektoratit duke u fokusuar në gjetjet nga inspektimi i fundit të cilat i vlerësoi si tejet substanciale dhe të domosdoshme për plotësimin e standardeve ndërkombëtare për të burgosurit.