PSRK ngrit aktakuzë për vrasje të rëndë në rastin City Club
Prishtinë, 25 nëntor - Sot, një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka ngritur një aktakuzë kundër një të dyshuari që akuzohet për vrasje të rëndë dhe tentim vrasje të rëndë në rastin e njohur si City Club.
Hetimet e kryera nga ky prokuror kanë të bëjnë me vrasjen me armë zjarri të ndjerit Besart Qazim Shabi dhe tentim vrasjen e rëndë ndaj një polici që kanë ndodhur më 2.01.2010 në diskotekën City Club në Pejë.
Ky rast besohet se ka lidhje me një hakmarrje ndërmjet familjes Elshani dhe familjes Kelmendi.
I dyshuari i është dorëzuar policisë dhe është duke vuajtur paraburgimin në pritje të gjykimit. I dyshuari mund të dënohet me dënim prej së paku dhjetë vjet burgim.
Këtë aktakuzë e ka ngritur një prokuror ndërkombëtar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, pas hetimeve të ndërlikuara të kryera nga Prokuroria e EULEX-it, Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it.