Protestuesit serb në veri shfaqën dhunë në drejtim të policisë
Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut; në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Para objektit të komunës së Zveçanit, protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës, njoftoj Policia.
“Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontrollë”, thuhet në njoftim.
“Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve, liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës është duke menaxhuar situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në reagimin e Policisë.
Edhe Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, mëngjesin sotem ka shtuar prezencën në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.