Protestohet për të kërkuar dënim maksimal ndaj vrasesit të Zejnepe Berishës
Prishtinë, 14 prill - Aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, protestojnë sot të bashkuar tek Sheshi Zahir Pajaziti për të kërkuar që vendimi mbi dënimin që i është shqiptuar vrasësit të viktimës së dhunës në familje, të ndjerës Zejnepe Berisha, të ankimohet nga prokuroria dhe të kërkohet dënim maksimal për kryerjen e veprës penale.
Gjatë tërë kësaj tragjedie, ishte lënduar edhe vajza e tyre, andaj institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin veprimet e duhura në pajtim me ligjin.
Me 12 prill, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burgim.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: ... 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes.
Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, konsiderojmë se dënimi nuk është proporcional me veprën e shkaktuar.
Fakte të shumta tregojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është korrekt në dhënien e dënimeve të vrasësve burra dhe gra.
Gratë shpeshherë marrin dënime më të rënda edhe në raste kur ato kanë kryer veprën në vetëmbrojtje. E tërë kjo na lë të kuptojmë që mirëqenia e grave dhe vajzave në Kosovë vazhdon të jetë e rrezikuar, e kjo sidomos nga institucionet të cilat do të duhet të ofrojnë siguri, drejtësi dhe barazi në të gjitha sferat e jetës.
Poashtu, ju rikujtojmë se në të kaluarën institucionet përgjegjëse janë deklaruar se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës në familje, por dënimet e tilla minimale nuk po përçojnë të njëjtin mesazh.
Ato po japin mesazhin e gabuar se krimet e tilla makabre nuk do të marrin dënimin e merituar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Me vendime të tilla organet e drejtësisë inkurajojnë vrasjen! Ju ftojmë të bashkangjiteni në protestë kundër krimit! Dhuna në familje është krim!