Protestohet për dorëheqjen e Ramadan Mujës
Prizren, 19 mars - Një protestë gjithëpopullore do të organizohet sot për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës. Protesta mbahet në sheshin Shatërvan, në ora 12:00.
Protesta organizohet nga shoqëria aktive Për Prizrenin, ndërkohë që do të përkrahet edhe nga katër subjekte politike të opozitës.
Ramadan Muja ka pezulluar dje postin e kryetarit të Prizrenit, deri në një vendim të Gjykatës së Apelit.
Ndërkaq, ky vendim i Mujës, është kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare. Ata kanë kërkuar nga Muja, që të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Prizrenit dhe betejën me drejtësi të vazhdojë i vetëm pa qytetarët.
Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është dënuar 2 vjet burg me kusht nga Gjykata Themelore e Prizrenit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pavarësisht këtij dënimi, ai nuk ka pranuar të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Prizrenit.