23 Dhjetor 2024

Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim të Kryeprokurorit, i papranueshëm

Prishtinë, 6 prill - Këshilli Prokurorial i Kosovës votoi sot unanimisht që Blerim Isufaj të jetë Kryeprokurori i ri i Shtetit. Propozimi i Këshillit Prokurorial do të dërgohet tek Presidentja e vendit, për të vendosur përfundimisht lidhur me emërimin.

Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit.

Kështu, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, më 24 mars 2022 publikuan Raportin “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit: Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.”

Në këtë Raport, IKD, GLPS dhe FOL tërhiqnin vërejtjen që Paneli Vlerësues kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë qartazi të pabazuar, duke cenuar meritokracinë e procesit.

Ta zëmë, z. Isufaj, i cili u propozua për Kryeprokuror të ri, ishte vlerësuar me 98 nga gjithsej 100 pikë, megjithëse koncept-dokumenti i tij dhe intervista pranë Komisionit kishin mangësi të mëdha në aspektin profesional, që vëreheshin lehtësisht.

Njëherit, kandidatët ishin trajtuar në mënyrë të pabarabartë nga Komisioni dhe, krahas kësaj, defektet e caktuara procedurale kishin dështuar të siguronin një vlerësim të mirëfilltë dhe adekuat të kandidatëve.

 KPK ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Si rrjedhojë, Koalicioni rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, ashtu që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara.  

Me gjithë vërejtjet dhe kritikat objektive të bëra, është brengosëse që Këshilli Prokurorial ka propozuar për emërim z. Isufajn, në mënyrë unanime.

Është për t’u habitur se si të paktën një anëtar i Këshillit nuk është bindur nga analiza e dhënë përmes monitorimit objektiv të procesit.

 Një veprim i tillë i Këshillit vetëm sa reflekton edhe më tutje faktin që Këshilli Prokurorial qeveriset me mendësi korporatiste, pa objektivitet në vendimmarrje, ashtu siç kishte tërhequr vërejtjen për një rrezik të tillë edhe Komisioni i Venecias në opinionin për Kosovën CDL-AD(2021)051.   

Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërim do të dërgohet tek Presidentja e vendit për dekretim përfundimtar, me të cilin Isufaj do të emërohej Kryeprokurori i ri i Shtetit, me mandat shtatëvjeçar.

Koalicioni i bën thirrje Presidentes që, në kuptim të mandatit të saj kushtetues për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve, të garantojë integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit ashtu që mangësitë e theksuara objektive të këtij procesi t’i marrë parasysh në vlerësimin e saj për emërim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)