Promovohet numri emergjent 112 te qytetarët
Prishtinë, 11 shkurt - Në sheshin Zahir Pajaziti, u mbajt manifestimi me rastin e Ditës Evropiane të Numrit Emergjent 112, të organizuar nga Agjencia për Menaxhim Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Qëllimi i këtij manifestimi është promovimi i numrit emergjent 112 te qytetarët.
Në këtë aktivitet morën pjesë: Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Qendra Operative Emergjente 112 Prishtinë, Organizata Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Shërbimi i Urgjencës, Komuna e Prishtinës, Shërbimi Zjarrfikës dhe i Shpëtimit, si dhe Policia e Kosovës.
Kjo ngjarje u shënua për herë të dytë në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, shërbimet emergjente prezantuan punën e tyre te qytetarët duke promovuar numrin emergjent 112.
E veçanta e këtij viti ishte që vetë fëmijët promovuan numrin 112, përmes shpërndarjes së materialeve sensibilizuese dhe bisedave me qytetarët në sheshin kryesor të Prishtinës.
Ky aktivitet është mbështetur nga organizata Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në Kosovë.