Prokurorja Pula propozon lirimin e vëllait të kryeprokurorit Hoxha
Prishtinë, 13 shkurt - Koordinatorja nacionale kundër korrupsionit, Laura Pula, ka propozuar lirimin e të dënuarit me burgim për korrupsion, Elez Hoxha, vëllai i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha.
Propozimin për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, prokurorja e Shtetit, Pula, ia ka shtruar Gjykatës Supreme të Kosovës më 27 janar të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.
Është arsyetuar se ish-gjyqtari Elez Hoxha, i dënuar me 4 vjet burgim për marrje ryshfeti në vlerë mbi 60 mijë euro, vuan nga tensioni i lartë dhe diabeti. Qëndrimi edhe më tej në burg i Hoxhës, sipas Pulës, do të paraqiste rrezik për të.
Prokurorja Pula është koordinatore nacionale kundër korrupsionit, në zyrën e kryeprokurorit të Shtetit. Prej korrikut të vitit të kaluar, Sylë Hoxha, vëllai i të dënuarit për korrupsion, Elez Hoxha, ushtron detyrën e kryeprokurorit të Shtetit.
Pëlqimin për zbutje të dënimit e ka dhënë edhe Prokuroria Themelore e Prizrenit, shef i së cilës është Sylë Hoxha dhe Gjykata Themelore në këtë qytet. Fjalën e fundit pritet ta japë Gjykata Supreme e Kosovës. Vendimin pritet ta marrë javën e ardhshme.
/Koha Ditore/