06 Maj 2024

Prokurorja nuk guxoi t’i arrestonte djemtë e Grabovcit

Prishtinë, 21 shkurt - “A e dini djemtë e kujt jemi, ku guxoni me na lidh neve”, u kishte thënë Guximi policëve mëngjesin e hershëm të 15 shkurtit. Policët e kishin marrë vesh se në fakt ishin djemtë e Adem Grabovcit, por tek pasi njëri prej djemve të tij e kishte grushtuar policin.

Që Policia ta merrte vesh se të kujt janë, ishte përkujdesur vetë i ati i tyre, deputeti Adem Grabovci, njofton “Koha Ditore”. Natën vonë kishte shkuar personalisht në Stacionin Policor të Fushë-Kosovës.

Të kujt janë e kishte marrë vesh edhe prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Merrushe Llugiqi, e cila i kishte urdhëruar policët e Stacionit të Fushë-Kosovës që të lironin Ngadhnjim (21) dhe Guxim Grabovcin (19), ani pse djali i vogël i deputetit të PDK-së e ka sulmuar fizikisht të premten e kaluar zyrtarin policor për shkak se Policia kishte ndaluar vëllanë e tij, Ngadhënjimin.

Prokurores që kishte qenë kujdestare i është hedhur i gjithë faji nga Policia e Kosovës se pse nuk ishin arrestuar të dyshuarit, të cilët i kishin shkaktuar një të çarë mbi sy policit Avni Selaci duke e sulmuar në vend të punës.

Përveç lirimit të menjëhershëm pas dhënies së deklaratave nga të dyshuarit, sulmin kundër personit zyrtar dhe pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, ajo e ka kualifikuar si kundërvajtje e jo si vepër penale të dënueshme deri në 8 vjet burgim.

“Policia tri herë ka marrë udhëzime brenda nga prokurorja prej momentit që është raportuar rasti derisa i kemi marrë udhëzimet prej saj”, ka thënë Policia e Kosovës nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Edhe të mërkurën paradite, Policia e Kosovës ka thënë se nuk është ngritur asnjë kallëzim penal kundër të dyshuarve për shkak se vepra është cilësuar kundërvajtje.

Por pas pyetjeve të shumta drejtuar Prokurorisë dhe Policisë, Prokuroria ka marrë vendim që rastin ta kualifikojë si vepër penale, konkretisht sulm ndaj personit zyrtar.

Burime nga Policia ka thënë ky ndryshim cilësimi është bërë pas presionit publik për përmasat e incidentit dhe mosveprimin e Prokurorisë.

Pasdite Policia ka thënë se incidenti është cilësuar si vepër penale.

Prokurorja Llugiqi, të mërkurën nuk e ka hapur telefonin gjatë gjithë ditës. Ajo nuk u është përgjigjur as me ‘sms’ pyetjeve se përse i kishte ndërmarrë këto veprime duke mos e kualifikuar sulmin si vepër penale e as nëse është frikësuar për faktin se të dyshuar ishin djemtë e deputetit, njëherësh shef i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)