Prokuroria Speciale shenjëstron tre raste të reja
Prishtinë, 28 maj - Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e Krimeve të Rënda, ku janë shënjestruar tre (3) raste të koduara si “Eufond”, “Thesari” dhe “Adriatiku”.
Prokuroria Speciale njofton se rasti i parë i shënjestruar “Eufond”, është kundër një (1) personi për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Ndërkaq, rasti i dytë i shenjëstruar “Thesari”, është kundër dy (2) personave për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” nga neni 414, paragrafi 2 dhe 3 pika 3.4 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës, te njëjtit gjenden në paraburgim.
Gjithashtu, rasti i tretë të shenjëstruar “Adriatiku”, është kundër shtatë (7) personave në drejtim të veprave penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.9 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Mbajta në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.