Prokuroria Speciale shenjëstron tre raste të reja
Prishtinë, 1 prill - Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shenjëstrimin e Krimeve të Rënda ku kanë shenjëstruar tre (3) raste të reja për vepra të ndryshme penale.
Prokuroria Speciale njofton se nga rasti i parë i shenjëstruar janë të përfshirë shtatëmbëdhjetë (17) persona, për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së.
Po ashtu, edhe nga rasti i dytë i shenjëstruar janë të përfshirë nëntë (9) persona për veprat penale “Krim i organizuar” nga neni 277 i KPK-së, lidhur me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikeve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”, nga neni 267 të KPK-së.
Ndërkaq, nga rasti i tretë i shenjëstruar janë të përfshirë njëzetedy (22) persona, për veprat penale “Marrje ryshfeti” nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par 2 të KPRK-së.