Prokuroria speciale akuzon D.A për krime lufte kundër popullatës civile
Prishtinë, 2 nëntor - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special kundër të pandehurit me inicialet D.A.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.A., në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të Policisë serbe dhe grupeve paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit janar - qershor të vitit 1999, fillimisht ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin.
Po ashtu, kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kanë plagosur dhe vrarë, e në mes të këtyre viktimave, ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.Sh., veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D. A, me datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës, më saktësisht në vendin e quajtur “varrezat Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i mitur, i moshës pesëmbëdhjetë (15) vjeçare, ashtu që pasi i dëmtuari është ndaluar nga i pandehuri D.A. dhe paramilitarët tjerë serb, të njëjtit vazhdojnë ta malltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, si në aspekt fizik e poashtu edhe në atë psiqik, ashtu që më pas shkrepet arma automatike, si pasojë e së cilës e sheh të rrëzuar në tokë një person, që më vonë e kupton se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh., nga fshati Trudë.
Me këto veprime i pandehuri D.A. akuzohet për veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së. â