Prokuroria nis hetimin ndaj 12 të dyshuarve për mashtrim
Prishtinë, 5 nëntor - Prokuroria e Qarkut në Prizren, më 4 nëntor 2011, ka filluar hetimin ndaj 12 personave të dyshuar për Mashtrim, nga neni 261 i KPK-së, Shpërdorim i pozitës zyrtare, nga neni 339 i KPK-së, Vjedhje të rëndë, nga neni 253 i KPK-së dhe Keqpërdorim të besimit, nga neni 269 i KPK-së.
Hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar me dyshimin e bazuar se kompania, e cila furnizonte me naftë Prokurorinë e Qarkut në Prizren dhe qendrat e paraburgimit në Prizren dhe në Pejë, ka mashtruar këto institucione në sasinë e furnizimit me derivate.
Gjatë hetimeve është kuptuar se sasia e derivateve të naftës së furnizuar, e cila gjendej në rezervuar nuk korrespondonte me sasinë e naftës së faturuar nga kompania furnizuese.
Për këtë rast Prokuroria e Qarkut në Prizren i ka hapur hetimet me dyshim të bazuar kundër:
· A. B. pronar i kompanisë Kastrati Petroll, kompani, e cila ka kontratë me Ministrinë e Drejtësisë që ti furnizoj me karburante prokuroritë dhe qendrat e paraburgimit. Ndaj këtij të pandehuri ekziston dyshimi se ka kryer veprën Vjedhje e rëndë, nga neni 253 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së dhe veprën penale të Mashtrimit, nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.
· Xh. Q. administrator në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, M. Z. drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe A. R. zëvendës drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, për shkak dyshimit se kanë kryer veprën penale të Shpërdorimit të pozitës zyrtare, nga neni 339 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e 2 të KPK-së.
· H. M., S. S. dhe S. U. punëtorë të sigurimit në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, E. B., A. K. dhe S. P. zyrtarë korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe A. A. e B. Gj. zyrtarë korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i besimit, nga neni 269, paragrafi 1 lidhur me nenin 269 të KPK-së.
Prokuroria e Qarkut në Prizren, Gjykatës së Qarkut në Prizren, ia ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të gjithë të dyshuarit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, në këtë gjykatë, ia ka shqiptuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh të pandehurit A. B., pronar i kompanisë, ndërsa të gjithë të pandehurve të tjerë u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Hetimi për këtë rast ka filluar pasi që në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, më 1 nëntor 2011, është vërejtur mungesa e naftës në rezervarët e kësaj prokurorie. Kompania furnizuese e ka dërguar naftën në keto institucione rreth orës 22 në mbrëmjen e datës 31 tetor 2011.
Prokuroria e Qarkut në Prizren menjëherë e ka ftuar Njësitin për krime ekonomike në Policinë e Prizrenit dhe Inspektoratin në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, të cilët i ka autorizuar të merren me këtë rast.
Pas verifikimit dhe matjes së sasisë së derivateve në të gjithë rezervuarët është vërtetuar se mospërputhja e përgjithshme e shifrave të litrave për naftë në tri lokacione, (në Prokurorinë e Qarkut në Prizren, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe në Qendrën e Paraburgimit në Pejë), është rreth 22.724 (njëzet e dy mijë e shtatëqind e njëzet e katër) litra.